Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 8:21-33 Bibla Shqip (ALBB)

21. Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: ''O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim''.

22. Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet''.

23. Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

24. Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

25. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ''O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!''

26. Por ai u tha atyre: ''Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?''. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

27. Atëherë njerëzit u mrekulluan dhe thoshin: ''Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?''.

28. Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.

29. Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: ''Ç'është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?''.

30. Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.

31. Dhe demonët iu lutën duke i thënë: ''Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash''.

32. Dhe ai u tha atyre: ''Shkoni!''. Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.

33. Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 8