Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 8:10-26 Bibla Shqip (ALBB)

10. Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ''Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.

11. Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,

12. por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve''.

13. Dhe Jezusi i tha centurionit: ''Shko dhe u bëftë ashtu si besove!''. Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.

14. Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.

15. Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t'u shërbejë.

16. Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,

17. që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: ''Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona''.

18. Tani Jezusi, duke parë rreth tij turma të mëdha, urdhëroi që të kalonin në bregun tjetër.

19. Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: ''Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh''.

20. Dhe Jezusi i tha: ''Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën''.

21. Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: ''O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim''.

22. Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet''.

23. Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

24. Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

25. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ''O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!''

26. Por ai u tha atyre: ''Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?''. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 8