Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 27:42-58 Bibla Shqip (ALBB)

42. ''Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;

43. ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"''.

44. Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.

45. Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.

46. Rreth orës nëntë, Jezusi bërtiti me zë të lartë duke thënë: ''Eli, Eli, lama sabakthani?''. Domethënë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.

47. Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: ''Ky po thërret Elian''.

48. Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.

49. Por të tjerët thoshin: ''Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar''.

50. Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.

51. Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë;

52. varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën;

53. dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt.

54. Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: ''Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!''.

55. Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galileja për t'i shërbyer;

56. midis tyre ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioses; dhe nëna e bijve të Zebedeut.

57. Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimateja, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit.

58. Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t'ia dorëzonin trupin.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 27