41. Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thoshin:
42. ''Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;
43. ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"''.
44. Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.
45. Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.
46. Rreth orës nëntë, Jezusi bërtiti me zë të lartë duke thënë: ''Eli, Eli, lama sabakthani?''. Domethënë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.
47. Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: ''Ky po thërret Elian''.
48. Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.
49. Por të tjerët thoshin: ''Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar''.
50. Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.
51. Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë;
52. varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën;
53. dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt.
54. Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: ''Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!''.
55. Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galileja për t'i shërbyer;
56. midis tyre ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioses; dhe nëna e bijve të Zebedeut.