29. Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve!''.
30. Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë.
31. Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.
32. Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.
33. Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës",
34. i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte.
35. Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç'ishte thënë nga profeti: ''I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time''.
36. Pastaj u ulën dhe e ruanin.
37. Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: ''KY ËSHTË JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE''.
38. Atëherë u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njëri në të djathtën dhe tjetri në të majtën.