Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 21:17-30 Bibla Shqip (ALBB)

17. Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën.

18. Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria.

19. Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: ''Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!''. Dhe fiku u tha menjëherë.

20. Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: ''Qysh u tha fiku në çast?''.

21. Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t'i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det", kjo do të ndodhë.

22. Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni''.

23. Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: ''Me ç'pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?''.

24. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t'ju them me ç'pushtet i kryej këto gjëra.

25. Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?''. Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: ''Po t'i themi nga qielli, do të na thotë: "Përse atëherë nuk i besuat?".

26. Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet''.

27. Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: ''Nuk e dimë''. Atëherë ai u tha atyre: ''As unë nuk do t'ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra".

28. ''Ç'mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: "Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim";

29. por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.

30. Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj", por nuk shkoi.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 21