Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 20:21-34 Bibla Shqip (ALBB)

21. Dhe ai i tha: ''Çfarë do?''. Ajo u përgjigj: ''Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde''.

22. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ''Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ''Po, mundemi''.

23. Atëherë ai u tha atyre: ''Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im''.

24. Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.

25. Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ''Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,

26. por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;

27. dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.

28. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.

29. Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.

30. Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit''.

31. Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!''.

32. Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: ''Çfarë doni të bëj për ju?''.

33. Ata i thanë: ''Zot, të na hapen sytë!''.

34. Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 20