Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 19:7-24 Bibla Shqip (ALBB)

7. Ata i thanë: ''Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?''.

8. Ai u tha atyre: ''Moisiu ju lejoi t'i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.

9. Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën''.

10. Dishepujt e vet i thanë: ''Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet''.

11. Por ai u tha atyre: ''Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë.

12. Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë''.

13. Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.

14. Por Jezusi tha: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve''.

15. Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.

16. Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: ''Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?''.

17. Dhe ai tha: ''Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti do të hysh në jetë, zbato urdhërimet''.

18. Ai i tha: ''Cilat?''. Atëherë Jezusi i tha: ''Mos vrit, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,

19. ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde''.

20. I riu i tha: ''Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?''.

21. Jezusi i tha: ''Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua''.

22. Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.

23. Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.

24. Dhe po jua përsëris: Është më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 19