Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 18:18-35 Bibla Shqip (ALBB)

18. Në të vërtetë ju them se gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell.

19. Po ju them gjithashtu se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t'u jepet atyre nga Ati im që është në qiej.

20. Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre''.

21. Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: ''Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?''.

22. Jezusi i tha: ''Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.

23. Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.

24. Mbasi filloi t'i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.

25. Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç'kishte, dhe të shlyejë detyrimin.

26. Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t'i paguaj të gjitha".

27. I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.

28. Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".

29. Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: "Ki durim me mua, dhe do t'i paguaj të gjitha".

30. Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg derisa ai ta shlyente detyrimin.

31. Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.

32. Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m'u lute.

33. A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".

34. Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të paguante gjithë detyrimin.

35. Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij''.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 18