Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 16:14-25 Bibla Shqip (ALBB)

14. Dhe ata thanë: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët''.

15. Ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''.

16. Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''.

17. Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ''I lum je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.

18. Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.

19. Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej''.

20. Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thoshin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.

21. Që nga ai çast Jezusi filloi t'u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë.

22. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: ''O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë''.

23. Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: ''Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s'ke ndër mend punët e Perëndisë, por punët e njerëzve''.

24. Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.

25. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 16