Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 13:32-47 Bibla Shqip (ALBB)

32. Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj''.

33. Ai u tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: ''Mbretëria e qiejve i ngjan majasë që e merr një grua dhe zë brumë me tri masa miell derisa brumi të mbruhet plotësisht''.

34. Jezusi ua tha turmave të gjitha këto gjëra në shëmbëlltyra; dhe u fliste atyre vetëm në shëmbëlltyra,

35. që të përmbushej ç'është e thënë nëpërmjet profetit: ''Unë do të hap gojën time në shëmbëlltyra dhe do të zbuloj gjëra të fshehura që nga themelimi i botës''.

36. Atëherë Jezusi, mbasi i lejoi turmat, u kthye në shtëpi dhe dishepujt e tij iu afruan e i thanë: ''Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë''.

37. Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut.

38. Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut,

39. dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt.

40. Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës.

41. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi,

42. dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.

43. Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!''.

44. ''Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë.

45. Akoma mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari që shkon të kërkojë margaritarë të bukur.

46. Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen.

47. Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 13