Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 10:15-23 Bibla Shqip (ALBB)

15. Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.

16. Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.

17. Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t'ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.

18. Dhe do t'ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.

19. Dhe, kur t'ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t'ju jepet se çfarë duhet të thoni;

20. sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.

21. Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t'i vrasin.

22. Dhe të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.

23. Por kur do t'ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 10