Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 10:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t'i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.

2. Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;

3. Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;

4. Simon kanaaneasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi.

5. Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhra: ''Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve,

6. por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.

7. Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".

8. Shëroni të sëmurët, pastroni lebrosët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.

9. Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,

10. as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.

11. Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai derisa të niseni.

12. Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni.

13. Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.

14. Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.

15. Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.

16. Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 10