Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 9:30-49 Bibla Shqip (ALBB)

30. Mbasi u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile; dhe ai nuk donte që ta merrte vesh njeri.

31. Ai, në fakt, i mësonte dishepujt e vet dhe u thoshte atyre: ''Së shpejti Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin; dhe, pasi të jetë vrarë, ai do të ringjallet ditën e tretë''.

32. Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.

33. Dhe arritën në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeti: ''Për çfarë diskutonit ndërmjet jush rrugës?''.

34. Dhe ata heshtën, sepse rrugës kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi.

35. Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: ''Nëse dikush do të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve''.

36. Dhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre:

37. ''Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar''

38. Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha: ''Mësues, ne pamë një njeri që nuk na ndjek, që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam sepse ai nuk na ndjek''.

39. Por Jezusi tha: ''Mos ia ndaloni, sepse s'ka njeri që mund të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim, dhe fill pas kësaj të flasë keq për mua.

40. Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne.

41. Në fakt, kushdo që do t'ju japë të pini një gotë ujë në emrin tim, sepse jeni të Krishtit, në të vërtetë po ju them se me siguri nuk do ta humbasë shpërblimin e vet''.

42. ''Dhe kush do të skandalizojë një nga këta të vegjël që besojnë në mua, do të ishte më mirë për të t'i varet në qafë një gur mulliri dhe të hidhet në det.

43. Tani nëse dora jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh dorëcung në jetë, sesa të kesh dy duar dhe të shkosh në Gehena, në zjarrin e pashueshëm,

44. atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket.

45. Dhe nëse këmba jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh i çalë në jetë, se sa të kesh dy këmbë dhe të të hedhin në Gehena, në zjarrin e pashueshëm,

46. atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket.

47. Dhe nëse syri yt të skandalizon për mëkat, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në jetë sesa të kesh dy sy dhe të të hedhin në Gehenën e zjarrit,

48. atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket.

49. Sepse gjithkush duhet të kripet me zjarr, dhe çdo fli duhet të kripet me kripë.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 9