21. Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: ''Sa kohë ka që i ndodh kështu?''. Dhe ai tha: ''Që në fëmijëri.
22. Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!''.
23. Dhe Jezusi i tha: ''Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson''.
24. Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: ''Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim''.
25. Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: ''O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!''.
26. Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: ''Ka vdekur''.
27. Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.
28. Kur Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e vet e pyetën veçmas: ''Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?''.
29. dhe ai u tha atyre: ''Ky lloj nuk mund të dëbohet ndryshe, përveç, se me lutje dhe agjërim''.
30. Mbasi u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile; dhe ai nuk donte që ta merrte vesh njeri.
31. Ai, në fakt, i mësonte dishepujt e vet dhe u thoshte atyre: ''Së shpejti Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin; dhe, pasi të jetë vrarë, ai do të ringjallet ditën e tretë''.
32. Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.
33. Dhe arritën në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeti: ''Për çfarë diskutonit ndërmjet jush rrugës?''.
34. Dhe ata heshtën, sepse rrugës kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi.
35. Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: ''Nëse dikush do të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve''.