Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 9:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë''.

2. Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.

3. Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t'i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.

4. Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.

5. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!''.

6. Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.

7. Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!''.

8. Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.

9. Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.

10. Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç'do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.

11. Pastaj e pyetën duke thënë: ''Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?''.

12. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet.

13. Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç'deshën, ashtu siç është shkruar për të''.

14. Mbasi u kthye te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë që po grindeshin me ta.

15. Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur.

16. Atëherë ai i pyeti skribët: ''Për çfarë po diskutoni me ta?''.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 9