Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 8:22-33 Bibla Shqip (ALBB)

22. Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.

23. Atëherë e mori për dore të verbrin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.

24. Dhe ai, duke hapur sytë, tha: ''Po shoh njerëz si pemë që ecin''.

25. Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.

26. Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: ''Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat''.

27. Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cezaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: ''Kush thonë njerëzit se jam unë?''.

28. Ata u përgjigjën: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët''.

29. Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam?''. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: ''Ti je Krishti''.

30. Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të.

31. Pastaj nisi t'u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.

32. Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.

33. Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: ''Largohu nga unë, Satan, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!''.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 8