kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 7 Bibla Shqip (ALBB)

1. Atëherë rreth tij u mblodhën farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jeruzalemi.

2. Ata vunë re se disa nga dishepujt e tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, dhe i paditën.

3. Në fakt farisenjtë dhe të gjithë judenjtë nuk hanë pa i larë më parë me shumë kujdes duart, duke iu përmbajtur traditës së pleqve;

4. dhe, kur kthehen nga tregu, nuk hanë pa u pastruar më parë. Ka shumë gjëra të tjera që ata duhet të respektojnë për shkak të traditës: larjen e kupave, të brokave, të enëve prej bakri dhe të shtretërve.

5. Pastaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: ''Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së pleqve, por hanë bukë pa i larë duart?''.

6. Por ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë, siç është shkruar: "Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje.

7. Por kot më bëjnë një kult, duke mësuar doktrina, të cilat janë porosi nga njerëzit".

8. Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme''.

9. U tha atyre akoma: ''Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj.

10. E në fakt Moisiu tha: "Ndero atin tënd dhe nënën tënde", dhe: "Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje".

11. Por ju thoni: "Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë",

12. nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet,

13. duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme''.

14. Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: ''Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni:

15. Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin.

16. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!

17. Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës.

18. Dhe ai u tha atyre: ''Edhe ju qenkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë,

19. sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?''. Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet.

20. Tha akoma: ''Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur.

21. Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet,

22. vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku.

23. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut''.

24. Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.

25. Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.

26. Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija;

27. por Jezusi i tha: ''Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t'u hidhet këlyshëve të qenve''.

28. Por ajo u përgjigj dhe i tha: ''Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërrimet e fëmijëve!''

29. Atëherë ai i tha: ''Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!''.

30. Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë.

31. Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolisit.

32. Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t'i vërë duart mbi të.

33. Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtërinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën.

34. Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: ''Effatha'', që do të thotë: ''Hapu!''.

35. Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

36. Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin.

37. Dhe, të habitur shumë, thoshin: ''Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!''.