43. Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku.
44. Ata që hëngrën nga ato bukë ishin pesë mijë burra.
45. Menjëherë Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër drejt Betsaidas, derisa ai ta lejonte turmën.
46. Sapo e lejoi, ai iu ngjit malit për t'u lutur.
47. U ngrys, barka ishte në mes të detit dhe ai ishte i vetëm fare në tokë.
48. Dhe kur i pa dishepujt që po mundoheshin duke vozitur, sepse era ishte kundër tyre, aty nga roja e katërt e natës, ai u nis drejt tyre duke ecur përmbi det dhe donte t'i kalonte.
49. Por ata, kur e panë që po ecte mbi det, menduan se ishte një fantazmë dhe filluan të bërtasin,
50. sepse e kishin parë të gjithë dhe ishin trembur; por ai menjëherë filloi të flasë me ta dhe tha: ''Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë!''
51. Pastaj hipi në barkë me ta dhe era pushoi; dhe ata mbetën jashtëzakonisht të habitur në veten e tyre dhe u mrekulluan,
52. sepse nuk e kishin kuptuar ndodhinë e bukëve, sepse zemra e tyre ishte ngurtësuar.
53. Mbasi kaluan, arritën në krahinën e Gjenesaretit dhe aty e lidhën barkën.
54. Dhe kur dolën nga barka, njerëzit e njohën menjëherë
55. dhe, duke përshkuar me vrap mbarë krahinën përreth, filluan të sjellin të sëmurë në vigje, kudo që dëgjonin se gjendej;
56. dhe kudo ku ai vinte, në fshatra, në qytete a në lagje, njerëzit i vendosnin të lënguarit në sheshe dhe e lutnin që të paktën të mund të preknin cepin e rrobës së tij; dhe të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.