Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 6:31-43 Bibla Shqip (ALBB)

31. Dhe ai u tha atyre: ''Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak''. Sepse njerëzit që vinin dhe shkonin ishin aq shumë, sa s'u dilte koha as për të ngrënë.

32. U nisën, pra, me një barkë drejt një vend të vetmuar e të mënjanuar.

33. Porsa turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre; dhe u mblodhën rreth tij.

34. Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t'u mësojë shumë gjëra.

35. Duke qenë se u bë vonë, dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë, dhe tashmë është vonë.

36. Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s'kanë gjë për të ngrënë''.

37. Por ai, duke iu përgjigjur, u tha atyre: ''U jepni ju të hanë!'' Ata i thanë: ''A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t'u japim të hanë?''.

38. Dhe ai u tha atyre: ''Sa bukë keni? Shkoni e shikoni''. Ata, mbasi shikuan, thanë: ''Pesë bukë e dy peshq''.

39. Atëherë ai i urdhëroi ata që t'i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë.

40. Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.

41. Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t'ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve.

42. Të gjithë hëngrën sa u ngopën.

43. Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 6