Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 6:25-41 Bibla Shqip (ALBB)

25. Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: ''Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''.

26. Dhe mbreti, megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit dhe për respekt të të ftuarve.

27. Kështu mbreti dërgoi menjëherë një roje me urdhër që ti sillnin kokën e Gjonit.

28. Dhe ky shkoi, ia preu kokën në burg, dhe e solli kokën e tij mbi një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha s'ëmës.

29. Kur dishepujt e Gjonit i dëgjuan këto, erdhën, morën trupin e tij dhe e vunë në varr.

30. Tani apostujt u mblodhën tek Jezusi dhe i treguan të gjitha ato që kishin bërë dhe i kishin mësuar.

31. Dhe ai u tha atyre: ''Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak''. Sepse njerëzit që vinin dhe shkonin ishin aq shumë, sa s'u dilte koha as për të ngrënë.

32. U nisën, pra, me një barkë drejt një vend të vetmuar e të mënjanuar.

33. Porsa turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre; dhe u mblodhën rreth tij.

34. Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t'u mësojë shumë gjëra.

35. Duke qenë se u bë vonë, dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë, dhe tashmë është vonë.

36. Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s'kanë gjë për të ngrënë''.

37. Por ai, duke iu përgjigjur, u tha atyre: ''U jepni ju të hanë!'' Ata i thanë: ''A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t'u japim të hanë?''.

38. Dhe ai u tha atyre: ''Sa bukë keni? Shkoni e shikoni''. Ata, mbasi shikuan, thanë: ''Pesë bukë e dy peshq''.

39. Atëherë ai i urdhëroi ata që t'i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë.

40. Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.

41. Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t'ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 6