16. Por kur i dëgjoi Herodi të gjitha këto, tha: ''Ky Gjoni, të cilit ia pata prerë kokën, u ngjall së vdekuri!''.
17. Në fakt Herodi vet kishte dhënë urdhër të arrestohej Gjoni dhe të mbahej i lidhur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua.
18. Gjoni, pra, i thoshte Herodit: ''Nuk është e lejueshme të kesh gruan e vëllait tënd!''
19. Dhe Herodiada e urrente dhe dëshironte ta vriste, por nuk mundte.
20. Herodi, pra, i druhej Gjonit, të cilin e dinte si njeri të drejtë dhe të shenjtë, dhe e mbronte; dhe, mbasi e dëgjonte, kryente shumë gjëra dhe e dëgjonte me dëshirë.
21. Por erdhi dita e volitshme dhe Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një gosti për të mëdhenjtë e tij, për komandantët dhe për parinë e Galilesë.
22. Hyri vetë e bija e Herodiadës, kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin bashkë me të në tryezë, atëherë mbreti i tha vajzës: ''Më kërko ç'të duash dhe unë do të ta jap''.
23. Dhe iu betua: ''Gjithçka që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!''.
24. Ajo doli dhe i tha s'ëmës: ''Çfarë duhet t'i kërkoj?'' Ajo u përgjigj: ''Kokën e Gjon Pagëzorit!''.
25. Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: ''Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''.