Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 5:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e gadarenasve.

2. Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë,

3. i cili banonte në varreza dhe kurrkush s'kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë.

4. Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.

5. Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.

6. Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,

7. dhe me një britmë të madhe tha: ''Ç'ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!;''.

8. Sepse ai i kishte thënë: ''Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!''.

9. Atëherë Jezusi e pyeti: ''Cili është emri yt?''. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ''Unë quhem Legjion, sepse jemi shumë''.

10. Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë.

11. Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste.

12. Atëherë gjithë demonët e lutën duke thënë: ''Na dërgo në derrat, që të hymë në ta''.

13. Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det.

14. Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 5