Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 4:30-41 Bibla Shqip (ALBB)

30. Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim?

31. Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe;

32. por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj''.

33. Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë.

34. Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë.

35. Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: ''Kalojmë te bregu matanë!

36. Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.

37. Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej.

38. Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?''.

39. Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ''Pusho dhe fashitu!''. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.

40. Atëherë u tha atyre: ''Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?''.

41. Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?''.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 4