kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin.

2. Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli.

3. Dhe thoshin në mes tyre: ''Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?''.

4. Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.

5. Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura.

6. Dhe ai u tha atyre: ''Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë.

7. Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë''.

8. Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga varri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë.

9. Tani Jezusi, pasi ishte ringjallur në mëngjesin e ditës së parë të javës, iu shfaq së pari Maria Magdalenës, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë.

10. Dhe ajo shkoi dhe ua tregoi atyre që kishin qenë bashkë me të, të cilët ishin të pikëlluar dhe e qanin.

11. Por këta, kur dëgjuan se ishte gjallë dhe se u pa nga ajo, nuk i besuan.

12. Mbas këtyre gjërave, iu shfaq në trajtë tjetër dyve prej tyre, që po shkonin në fshat.

13. Edhe ata shkuan dhe ua treguan të tjerëve; por as këtyre nuk u besuan.

14. Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve kur ishin në tryezë dhe i qortoi për mosbesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, sepse nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ringjallur.

15. Pastaj u tha atyre: ''Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese;

16. ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.

17. Dhe këto janë shenjat që do t'i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t'i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja;

18. do t'i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t'u bëjë asnjë të keqe; do t'i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen''.

19. Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë.

20. Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin. Amen.