Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 15:29-43 Bibla Shqip (ALBB)

29. Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,

30. shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!''.

31. Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshin njëri-tjetrit: ''Të tjerët i shpëtoi, por veten s'mund ta shpëtojë.

32. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë''. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.

33. Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.

34. Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ''Eloi, Eloi; lama sabakthani?'', që e përkthyer do të thotë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.

35. Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshin: ''Ja, ai po thërret Elian!''.

36. Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ''Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë''.

37. Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.

38. Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund.

39. Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: ''Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!''.

40. Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Ioses dhe Salomeja,

41. të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem.

42. Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës,

43. Jozefi nga Arimateja, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 15