60. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: ''Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?''.
61. Por ai heshti dhe nuk u përgjigj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: ''A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?''.
62. Dhe Jezusi tha: ''Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit''.
63. Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: ''Ç'nevojë kemi më për dëshmitarë?
64. Ju e dëgjuat blasfeminë, ç'ju duket?''. Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.
65. Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t'ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t'i thonë: ''Profetizo!''. Dhe rojat e godisnin.
66. Ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, erdhi një shërbëtore e kryepriftit.
67. Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: ''Edhe ti ishe me Jezusin Nazareas''.
68. Por ai e mohoi duke thënë: ''Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua''. Pastaj doli jashtë në hajat dhe gjeli këndoi.
69. Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t'u flasë të pranishmëve: ''Ky është një nga ata''.
70. Por ai përsëri e mohoi. Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: ''Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je galileas dhe e folura jote e zbulon''.
71. Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: ''Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni''.
72. Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: ''Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë''. Dhe, duke e menduar këtë, qau.