Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 14:32-45 Bibla Shqip (ALBB)

32. Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: ''Uluni këtu, derisa unë të jem lutur''.

33. Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi;

34. dhe u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar''.

35. Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë.

36. Dhe tha: ''Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!''.

37. Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: ''Simon, po fle? S'ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme?

38. Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët''.

39. U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë.

40. Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t'i përgjigjeshin.

41. Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: ''Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.

42. Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!''.

43. Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë.

44. Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: ''Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt''.

45. Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: ''Rabi, Rabi!''; dhe e puthi përzemërsisht!

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14