Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 14:20-34 Bibla Shqip (ALBB)

20. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Është një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak.

21. Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!''.

22. Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori bukë, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Merrni, hani; ky është trupi im''.

23. Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.

24. Atëherë u tha: ''Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.

25. Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë''.

26. Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga Mali i Ullinjve.

27. Dhe Jezusi u tha atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: "Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen".

28. Por, mbasi të ringjallem, unë do t'ju pararend në Galile''.

29. Dhe Pjetri i tha: ''Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem''.

30. Dhe Jezusi i tha: ''Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë''.

31. Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: ''Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë''. Të njëjtën gjë thoshin edhe gjithë të tjerët.

32. Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: ''Uluni këtu, derisa unë të jem lutur''.

33. Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi;

34. dhe u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar''.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14