Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 14:16-27 Bibla Shqip (ALBB)

16. Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën.

17. Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët.

18. Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: ''Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë''.

19. Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t'i thoshin njëri pas tjetrit: ''Mos jam unë?''. Dhe një tjetër tha: ''Mos jam unë?''.

20. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Është një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak.

21. Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!''.

22. Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori bukë, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Merrni, hani; ky është trupi im''.

23. Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.

24. Atëherë u tha: ''Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.

25. Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë''.

26. Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga Mali i Ullinjve.

27. Dhe Jezusi u tha atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: "Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen".

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14