Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 14:10-20 Bibla Shqip (ALBB)

10. Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t'ua dorëzonte Jezusin.

11. Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.

12. Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: ''Ku do të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?''.

13. Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: ''Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë.

14. Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?".

15. Atëherë ai do t'ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne''.

16. Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën.

17. Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët.

18. Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: ''Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë''.

19. Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t'i thoshin njëri pas tjetrit: ''Mos jam unë?''. Dhe një tjetër tha: ''Mos jam unë?''.

20. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Është një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14