Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 14:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin.

2. Por thoshin: ''Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli''.

3. Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebros, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye.

4. Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: ''Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit?

5. Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t'u jepeshin të varfërve''. Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj.

6. Por Jezusi tha: ''Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje.

7. Sepse të varfrit do t'i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t'u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë.

8. Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim.

9. Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj''.

10. Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t'ua dorëzonte Jezusin.

11. Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14