Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 13:11-27 Bibla Shqip (ALBB)

11. Tani, kur t'ju çojnë për t'ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.

12. Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t'i bëjnë të vdesin.

13. Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet''.

14. Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve.

15. Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet.

16. Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.

17. Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë!

18. Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.

19. Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.

20. Dhe, nëse Zoti nuk do t'i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi.

21. Atëherë, nëse dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu!"; ose "Është atje", mos e besoni.

22. Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.

23. Por ju kini kujdes; ja, unë ju paralajmërova çdo gjë''.

24. ''Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet;

25. yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden.

26. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi.

27. Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t'i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 13