Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 12:17-29 Bibla Shqip (ALBB)

17. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''I jepni Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë''. Dhe ata u çuditën nga ai.

18. Pastaj iu paraqitën disa saducenj, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën duke thënë:

19. ''Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vdes vëllai i dikujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i lindur pasardhës vëllait të tij.

20. Tani ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.

21. E mori, pra, i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë; po kështu i treti.

22. Që të shtatë e morën për grua dhe vdiqën pa lënë fëmijë. E fundit, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja.

23. Në ringjallje, pra, kur të ringjallen, gruaja e kujt do të jetë ajo? Sepse që të shtatë e patën grua''.

24. Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: ''A nuk është pikërisht për këtë që jeni në gabim, sepse nuk i njihni as shkrimet as pushtetin e Perëndisë?

25. Sepse kur njerëzit do të ringjallen së vdekuri, as do të martohen as do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell.

26. Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut se si foli Perëndia nga ferrishta duke thënë: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit"?

27. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por Perëndia i të gjallëve. Ju, pra, po gaboni shumë''.

28. Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: ''Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?''.

29. Dhe Jezusi u përgjigj: ''Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot",

Lexoni kapitullin e plotë Marku 12