Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 12:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj ai filloi t'u flasë me shëmbëlltyra: ''Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, gërmoi një vend për të shtrydhur rrushin, ndërtoi një kullë dhe ua besoi disa vreshtarëve dhe pastaj shkoi larg.

2. Në kohën e të vjelave dërgoi shërbëtorin te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të frutave të vreshtit.

3. Por ata e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarbosh.

4. Ai u nisi përsëri një shërbëtor tjetër, por ata, mbasi e gjuajtën me gurë, e plagosën në kokë dhe e kthyen të turpëruar.

5. Përsëri dërgoi edhe një tjetër, por ata e vranë. Më pas dërgoi shumë të tjerë dhe nga këta disa i rrahën, të tjerët i vranë.

6. I ngeli edhe një për të dërguar: birin e tij të dashur. Më së fundi ua dërgoi edhe atë duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt".

7. Por ata vreshtarë i thanë njëri-tjetrit: "Ky është trashëgimtari, ejani ta vrasim dhe do të na mbesë trashëgimia".

8. Dhe e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.

9. Çfarë do të bëjë, pra, i zoti i vreshtit? Ai do të vijë dhe do t'i shfarosë vreshtarët dhe vreshtin do t'ua japë të tjerëve.

10. Po a nuk e keni lexuar këtë shkrim: "Guri, që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes.

11. Kjo është bërë nga Zoti dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tanë"?''.

12. Atëherë ata kërkuan ta kapin, sepse kuptuan se ai e kishte thënë atë shëmbëlltyrë kundër tyre; por kishin frikë nga turma; dhe e lanë e ikën.

13. Pastaj i dërguan disa farisenj dhe herodianë për ta zënë në gabim në fjalë.

14. Këta erdhën dhe i thanë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë pa pyetur për njeri, sepse nuk merr parasysh dukjen e njerëzve, por u mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës. A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo? Duhet t'ia paguajmë apo jo?

Lexoni kapitullin e plotë Marku 12