Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 11:22-33 Bibla Shqip (ALBB)

22. Atëherë Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Kini besimin e Perëndisë!

23. Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t'i thotë këtij mali: "Luaj vendit dhe hidhu në det", dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t'i bëhet.

24. Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t'i merrni dhe ju do t'i merrni.

25. Dhe kur nisni të luteni, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiejt, t'ju falë mëkatet tuaja.

26. Por në se ju nuk falni, as Ati juaj, që është në qiejt, nuk do t'jua falë mëkatet tuaja''.

27. Pastaj ata erdhën përsëri në Jeruzalem; dhe ndërsa ai po ecte nëpër tempull, krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë iu afruan,

28. dhe i thanë: ''Me ç'pushtet i bën ti këto gjëra? Kush ta dha këtë pushtet për t'i kryer këto gjëra?''.

29. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju pyes diçka; më jepni përgjigje, pra, dhe unë do t'ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra.

30. Pagëzimi i Gjonit a ishte nga qielli apo nga njerëzit? Më jepni përgjigje.

31. Ata filluan të arsyetonin midis tyre: ''Po të themi "nga qielli", ai do të thotë: "Atëherë pse ju nuk i besuat?".

32. Por po t'i themi "nga njerëzit", kemi frikë nga populli, sepse të gjithë e konsideronin Gjonin se ishte me të vërtetë një profet''.

33. Prandaj, duke iu përgjigjur, i thanë Jezusit: ''Nuk e dimë''. Dhe Jezusi duke u përgjigjur, u tha atyre: ''As unë nuk po ju them se me çfarë pushteti i bëj këto gjëra''.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 11