Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 10:33-44 Bibla Shqip (ALBB)

33. ''Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve,

34. të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet''.

35. Atëherë Jakobi dhe Gjoni, bij të Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: ''Mësues, ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë''.

36. Dhe ai u tha atyre: ''Çfarë doni të bëj për ju?''

37. Ata i thanë: ''Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde''.

38. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund të pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar?''. Ata i thanë: ''Po, mundemi''.

39. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Vërtetë ju do të pini kupën që unë po pi dhe do të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin jam pagëzuar,

40. por nuk më takon mua të vë dikë të ulet në të djathtën time ose në të majtën time, por është për ata për të cilët është përgatitur''.

41. Kur i dëgjuan këto, të dhjetë të tjerët filluan të indinjohen kundër Jakobit dhe Gjonit.

42. Por Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: ''Ju e dini që ata që konsiderohen sundues të kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë mbi to pushtetin e tyre;

43. por kjo s'duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj;

44. dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 10