Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Marku 10:15-25 Bibla Shqip (ALBB)

15. Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të''.

16. Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta.

17. Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: ''Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''.

18. Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

19. Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde"''.

20. Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: ''Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time''.

21. Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: ''Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq''.

22. Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri.

23. Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: ''Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!''.

24. Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: ''O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria.

25. Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë''.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 10