Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 9:26-41 Bibla Shqip (ALBB)

26. Sepse, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t'i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë.

27. Në të vërtetë po ju them se këtu janë të pranishëm disa që nuk do ta shijojnë vdekjen, para se ta shohin mbretërinë e Perëndisë''.

28. Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t'u lutur.

29. Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme.

30. Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia,

31. të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem.

32. Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të.

33. Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të rrimë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''; por ai nuk dinte ç'thoshte.

34. Dhe ndërsa ai po fliste kështu, erdhi një re që i mbuloi në hijen e vet; dhe dishepujt i zuri frika, kur hynë në re.

35. Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni''.

36. Dhe ndërsa fliste ky zë, Jezusi u gjet krejt vetëm. Ata heshtën dhe në ato ditë nuk i treguan kurrkujt asgjë nga ç'kishin parë.

37. Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, ndodhi që një turmë e madhe i doli përpara Jezusit.

38. Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: ''Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam.

39. Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur.

40. U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur''.

41. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t'ju duroj? Sille këtu djalin tënd''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 9