Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 8:18-32 Bibla Shqip (ALBB)

18. Prandaj tregoni kujdes se si dëgjoni, sepse atij që ka, do t'i jepet, kurse atij që nuk ka, do t'i hiqet edhe ajo që ai kujton se ka''.

19. Nëna e tij dhe vëllezërit e tij erdhën tek ai, por nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës.

20. Dhe nga disa i ishte thënë: ''Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të të shohin''.

21. Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë''.

22. Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: ''Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit''. Dhe ata u larguan nga bregu.

23. Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik.

24. Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, Mësues, po mbytemi!''. Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë.

25. Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Ku është besimi juaj?''. Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?''.

26. Pastaj lundruan drejt krahinës së gadarenasve, që ndodhet përballë Galilesë;

27. dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza.

28. Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: ''Ç'ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!''.

29. Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat.

30. Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: ''Si e ke emrin?''. Dhe ai u përgjigj: ''Legjion''. Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të.

31. Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.

32. Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t'i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 8