Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 7:2-14 Bibla Shqip (ALBB)

2. Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje.

3. Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij.

4. Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: ''Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë,

5. sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën''.

6. Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t'i thënë: ''Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim.

7. Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.

8. Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njërit: "Shko", dhe ai shkon; dhe një tjetri: "Eja", dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë", dhe ai e bën''.

9. Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: ''Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh''.

10. Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar.

11. Dhe të nesërmen ai shkoi në një qytet që quhej Nain; dhe bashkë me të shkonin shumë nga dishepujt e vet dhe një turmë e madhe.

12. Dhe, kur iu afrua portës së qytetit, ja që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të.

13. Posa e pa, Zoti pati dhembshuri për të dhe i tha: ''Mos qaj!''

14. U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: ''Djalosh, unë të them, çohu!''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 7