Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 6:35-49 Bibla Shqip (ALBB)

35. Por ju t'i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mosmirënjohësit dhe të mbrapshtët.

36. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.

37. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur.

38. Jepni dhe do t'ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t'ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t'ju matet edhe juve gjithashtu''.

39. Pastaj ai u tha një shëmbëlltyrë: ''Një i verbër a mund t'i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë?

40. Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet.

41. Po pse ti e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd dhe nuk e sheh traun në syrin tënd?

42. Ose, si mund t'i thuash vëllait tënd: "Vëlla, më lër të të heq lëmishten që ke në syrin tënd", kur ti vetë nuk e sheh traun në syrin tënd? O hipokrit, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të mund të shohësh mirë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.

43. Sepse nuk ka pemë të mirë që të japë fryt të keq, as pemë të keqe që të japë fryt të mirë.

44. Çdo pemë, pra, njihet nga fryti i vet, sepse nuk mblidhen fiq nga gjembat dhe nuk vilet rrush nga ferra.

45. Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës.

46. Përse më thirrni, "Zot, Zot" dhe nuk bëni atë që ju them?

47. Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t'i vë në praktikë, unë do t'ju tregoj kujt i ngjan.

48. Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s'e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.

49. Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 6