Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 5:5-17 Bibla Shqip (ALBB)

5. Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: ''Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.

6. Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.

7. Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t'i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.

8. Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: ''Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar''.

9. Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.

10. E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: ''Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë''.

11. Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.

12. Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: ''Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh''.

13. Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: ''Po, e dua, qofsh i pastruar''. Dhe menjëherë lebra iu zhduk.

14. Dhe Jezusi e urdhëroi: ''Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t'u shërbejë si dëshmi''.

15. Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t'u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.

16. Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.

17. Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, për t'i shëruar.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 5