Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 4:23-41 Bibla Shqip (ALBB)

23. Dhe ai u tha atyre: ''Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd''.

24. Por ai tha: ''Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.

25. Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;

26. e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveçse te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.

27. Dhe në kohën e profetit Elise kishte shumë lebrosë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian''.

28. Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.

29. Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.

30. Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.

31. Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.

32. Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.

33. Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:

34. ''Ah, ç'ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!''.

35. Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''. Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.

36. Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ç'fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!''.

37. Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth.

38. Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.

39. Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t'u shërbejë.

40. Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.

41. Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshin: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë''. Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 4