kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 3 Bibla Shqip (ALBB)

1. Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës,

2. nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kaifa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë.

3. Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve,

4. ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: ''Ja zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij!

5. Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen

6. dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë''.

7. Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen?

8. Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: "Ne kemi Abrahamin për Atë", sepse unë po ju them se Perëndia mund t'i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë.

9. Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr''.

10. Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: ''Dhe ne, pra, ç'të bëjmë?''.

11. Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: ''Ai që ka dy tunika le t'i ndajë me atë që s'ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu''.

12. Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: ''Mësues, ç'duhet të bëjmë?''.

13. Dhe ai u tha atyre: ''Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar''.

14. Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: ''Dhe ne, ç'duhet të bëjmë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!''.

15. Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë.

16. Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: ''Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.

17. Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet''.

18. Kështu ai e ungjillëzonte popullin duke e këshilluar me shumë mënyra të tjera.

19. Por Herodi, tetrarku, mbasi u qortua prej tij për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij Filipit, dhe për të gjitha mbrapshtitë që ai kishte kryer,

20. U shtoi të gjitha të tjerave edhe këtë, domethënë e futi Gjonin në burg.

21. Tani, si u pagëzua gjithë populli, edhe Jezusi u pagëzua; dhe ndërsa po lutej, qielli u hap

22. dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të, në trajtën trupore si të pëllumbit, dhe nga qielli erdhi një zë, që thoshte: ''Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!''.

23. Dhe Jezusi ishte rreth tridhjetë vjeç; dhe e pandehnin se ishte bir i Jozefit, bir i Elit;

24. bir i Matthatit, bir i Levit, bir i Melkut, bir i Janas, bir i Jozefit;

25. bir i Matathias, bir i Amosit, bir i Naumit, bir i Eslit, bir i Nagait;

26. bir i Maathit, bir i Matathias, bir i Semeit, bir i Jozefit, bir i Judës;

27. bir i Joannas, bir i Resas, bir i Zorobabelit, bir i Salatielit, bir i Nerit;

28. bir i Melkut, bir i Adit, bir i Kosamit, bir i Elmodamit, bir i Erit;

29. bir i Joseut, bir i Eliezerit, bir i Iorimit, bir i Matthatit, bir i Levit;

30. bir i Simeonit, bir i Judës, bir i Jozefit, bir i Jonanit, bir i Eliakimit;

31. bir i Meleas, bir i Menas, bir i Matathas, bir i Natanit, bir i Davidit;

32. bir i Jeseut, bir i Obedit, bir i Boozit, bir i Salmonit, bir i Naasonit;

33. bir i Aminadabit, bir i Aramit, bir i Esromit, bir i Faresit, bir i Judës;

34. bir i Jakobit, bir i Isakut, bir i Abrahamit, bir i Tares, bir i Nakorit;

35. bir i Serukut, bir i Ragaut, bir i Pelekut, bir i Eberit, bir i Selës;

36. bir i Kainanit, bir i Arfaksadit, bir i Semit, bir i Noeut, bir i Lamekut;

37. bir i Mathusalës, bir i Enokut, bir i Jaredit, bir i Mahalaleelit, bir i Kainanit;

38. bir i Enosit, bir i Setit, bir i Adamit, i Perëndisë.