Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 22:32-47 Bibla Shqip (ALBB)

32. Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu''.

33. Por ai tha: ''Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje''.

34. Por Jezusi tha: ''Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh''.

35. Pastaj u tha atyre: ''Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?''. Dhe ata thanë: ''Asgjë''.

36. U tha, pra, atyre: ''Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.

37. Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: "Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit". Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre''.

38. Atëherë ata thanë: ''Zot, ja këtu dy shpata''. Por ai u tha atyre ''Mjaft!''.

39. Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.

40. Kur arriti në vend, u tha atyre: ''Lutuni që të mos hyni në tundim''.

41. Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunjë dhe lutej,

42. duke thënë: ''O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti''.

43. Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t'i dhënë forcë.

44. Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.

45. Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,

46. dhe u tha atyre: ''Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim''.

47. Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 22