Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 22:23-35 Bibla Shqip (ALBB)

23. Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.

24. Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.

25. Por Jezusi u tha atyre: ''Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës.

26. Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben.

27. Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s'është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.

28. Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia.

29. Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im,

30. që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

31. Edhe Zoti tha: ''Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t'ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.

32. Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu''.

33. Por ai tha: ''Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje''.

34. Por Jezusi tha: ''Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh''.

35. Pastaj u tha atyre: ''Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?''. Dhe ata thanë: ''Asgjë''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 22