16. Ai do të vijë, do t'i vrasë ata vreshtarë dhe do t'ua japë vreshtin të tjerëve''. Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: ''Kështu mos qoftë''.
17. Atëherë Jezusi, duke i shikuar në fytyrë, tha: ''Ç'është, pra, ajo që është shkruar: "Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë u bë guri i qoshes"?
18. Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet''.
19. Në këtë moment, krerët e priftërinjve dhe skribët kërkuan të vënë dorë në të, sepse e morën vesh se ai e kishte treguar atë shëmbëlltyrë për ata, por kishin frikë nga populli.
20. Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t'ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit.
21. Këta e pyetën duke thënë: ''Mësues ne e dimë se ti flet dhe mëson drejt dhe që nuk je aspak i anshëm, por mëson rrugën e Perëndisë në të vërtetë.
22. A është e lejueshme për ne t'i paguajmë taksë Cezarit apo jo?''.
23. Por ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre, u tha atyre: ''Përse më provokoni?
24. Më tregoni një denar: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?''. Dhe ata, duke përgjigjur, thanë: ''E Cezarit''.
25. Atëherë ai u tha atyre: ''I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë''.
26. Dhe nuk mundën ta zënë në gabim në ligjëratën e tij përpara popullit dhe, të habitur nga përgjigjja e tij, heshtën.
27. Pastaj iu afruan disa saducenj, të cilët mohojnë se ka ringjallje, dhe e pyetën,
28. duke thënë: ''Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vëllai i dikujt vdes kishte grua dhe vdiq pa lënë fëmijë, i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t'i ngjallë pasardhës vëllait të vet.
29. Tashti, ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.
30. I dyti e mori për grua dhe vdiq edhe ai pa lënë fëmijë.
31. E mori pastaj i treti; dhe kështu që të shtatë vdiqën pa lënë fëmijë.
32. Dhe pas tyre vdiq edhe gruaja.
33. Atëherë, në ringjallje, e kujt do të jetë grua? Sepse që të shtatë e patën grua''.