Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 20:1-15 Bibla Shqip (ALBB)

1. Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë,

2. dhe i thanë: ''Na trego me ç'autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?''.

3. Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju pyes një gjë dhe ju m'u përgjigjni:

4. Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?''.

5. Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: ''Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?".

6. Kurse po t'i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet''.

7. Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte.

8. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''As unë nuk po ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra''.

9. Pastaj filloi t'i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë: ''Një njeri mbolli një vresht, ua besoi disa vreshtarëve dhe iku larg për një kohë të gjatë.

10. Në kohën e të vjelave, dërgoi një shërbëtor tek ata vreshtarë që t'i jepnin pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë dhe e kthyen duarbosh.

11. Ai dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; por ata, pasi e rrahën dhe e shanë edhe atë, e kthyen duarbosh.

12. Ai dërgoi edhe një të tretë, por ata e plagosën edhe atë dhe e përzunë.

13. Atëherë i zoti i vreshtit tha: "Çfarë duhet të bëj? Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë!".

14. Por vreshtarët, kur e panë, thanë midis tyre: "Ky është trashëgimtari; ejani e ta vrasim që trashëgimia të na mbetet neve".

15. Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Ç'do t'u bëjë, pra, këtyre, i zoti i vreshtit?

Lexoni kapitullin e plotë Luka 20