Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 2:22-35 Bibla Shqip (ALBB)

22. Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jeruzalem për t'ia paraqitur Zotit,

23. ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: ''Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin'',

24. dhe për të ofruar flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit, një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj.

25. Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.

26. Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.

27. Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,

28. ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:

29. ''Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,

30. sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd

31. që ti e përgatite përpara gjithë popujve:

32. dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit''.

33. Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të.

34. Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: ''Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh,

35. edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 2